
Netanyahu thotë se do nominojë Trump për Çmimin Nobel për Paqe
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i tha Donald Trump-it të hënën se do ta propozojë për Çmimin Nobel për Paqe, gjatë një takimi mes tyre, i pari që nga nisja e sulmeve ajrore amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit.
Trump pritet të ushtrojë presion mbi Netanyahun që të pranojë një armëpushim në luftën 21-mujore të Izraelit kundër Hamasit në Gaza, mes shqetësimeve ndërkombëtare për krizën humanitare që ka shkaktuar thuajse 60,000 viktima, shumica palestinezë.
Ndërkohë, negociatorë nga Izraeli dhe Hamasi zhvilluan bisedime të tërthorta për herë të parë pas gjashtë javësh në Katar.
Ministri rus i Transportit gjendet i vdekur pas shkarkimit nga Putini
Ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, u gjet i vdekur në një zonë pranë Moskës të hënën, vetëm pak orë pasi presidenti Vladimir Putin e shkarkoi nga detyra pas ndërprerjeve masive të trafikut ajror civil, të shkaktuara nga sulmet me dronë të Ukrainës.
Sipas mediave ruse, pranë trupit të tij u gjet një armë zjarri dhe dyshohet për vetëvrasje. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për shkakun e vdekjes.
Starovoit, më parë guvernator i rajonit Kursk, u emërua ministër i Transportit në maj të vitit 2024, por shkarkimi i tij nuk u shoqërua me ndonjë sqarim publik nga Kremlini.
Danimarka paralajmëron: Ambiciet e Trump-it për Grenlandën nuk kanë përfunduar
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Rasmussen, ka deklaruar se kërcënimi i Donald Trump-it për ta zgjeruar kontrollin mbi Grenlandën nuk është një çështje e mbyllur, megjithëse një ndërhyrje ushtarake duket pak e mundshme.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur Danimarka ka marrë presidencën e Këshillit të BE-së dhe po luan një rol më aktiv në çështjet e sigurisë.
“Ne nuk e shohim aneksimin ushtarak si një mundësi reale, por kjo nuk do të thotë se çështja është zgjidhur,” u shpreh Rasmussen gjatë një konference për shtyp në qytetin Aarhus.
Greqia shpëton qindra emigrantë pranë Kretës
Autoritetet greke kanë shpëtuar qindra emigrantë në afërsi të Kretës dhe ishullit Gavdos që nga e premtja, teksa paralajmërojnë për një rritje të ndjeshme të mbërritjeve së tyre në javët në vijim.
Më shumë se 1,500 persona mbërritën në Kretë gjatë tre ditëve të fundit, ndërsa rreth 230 të tjerë u shpëtuan pranë Gavdos, ishulli më jugor i Greqisë.
Sipas zyrtarëve lokalë, mbi 6,500 emigrantë kanë arritur në Kretë në gjysmën e parë të vitit 2025, duke tejkaluar totalin e të gjithë vitit të kaluar. Strehimi i tyre është kthyer në sfidë, ka thënë zëvendëskryetarja e bashkisë së Chania-s, Eleni Zervoudaki.
Rreth 182 persona janë vendosur përkohësisht në një qendër strehimi, ndërsa pritet që numri të arrijë në 600 deri në mbrëmjen e së hënës.