Unë, si një nënë e re, përpiqem vazhdimisht të kaloj sa më shumë kohë me dy fëmijët e mi të vegjël, vajzën 5 dhe djalin 3 vjeç. Madje mund të quhem pa frikë si një ndër ato mamatë ‘cool’ të Instagramit: postoj foto (pa zbuluar fytyrën) nga pikniku me dy të vegjëlit e mi, sigurohem që t’i fotografoj kur janë duke ngjyrosur dhe mundohem gjithnjë që koha me ta të jetë sa më argëtuese të jetë e mundur.
Por, nuk është kështu gjithmonë! Më lejoni t’ju them që në disa situata kam dështuar. Po! Prisni, mos mendoni ndonjë gjë alarmante; janë thjesht situata që sapo i lexon thua me vete “Haha..e kam bërë edhe unë”, ose “Uaa edhe nëna ime ka bërë kështu”.
Po ja për shembull, disa ditë më parë, kur sapo kisha ardhur e lodhur nga puna, pashë që djali po hante në dysheme. Mendova atë rregullin e artë (ose jo) 5-sekondësh, sipas të cilit mikrobet nuk mund të shkojnë tek ushqimi në tokë nëse e rimarrim brenda 5 sekondash. Po, por u bënë 5 minuta që po e lija ta shijonte biskotën për qejfin e tij.
Të mos flasim për dushin! Vetëm kur mendoj rrëmujën që bën secili prej tyre më “rrënqethet mishi”. Djali do rosakun e verdhë, që në atë mal me lodra nuk gjendet për dreq, por ai refuzon të bëjë dush dhe vetëm qan, kështu që hallakatem sa andej-këtej për të gjetur rosakun e verdhë. Vazhdojmë me vajzën, e cila ka varur buzët sepse dëshironte të lahej e para, përkedhelet dhe nis e qan kot, pa ndonjë arsye. Prandaj, unë si “një nënë e dështuar” nuk u bëj dush çdo ditë. Ka javë që mjaftohem duke i larë vetëm 2 herë.
Meqë përmenda lodrat, më lejoni t’ju them që një pjesë ua jap fëmijëve të lagjes. Janë shumë, fëmijët e mi nuk do ta vënë re kurrë, ose të paktën kështu shpresoj.
Tjetër gjë që nuk ndihem shumë krenare për veten, është telefoni ose televizori. Po, i përdor si babysitter. Jam e vetëdijshme për gjithë rrezikun që na vinë nga këto dy pajisje të teknologjisë, por ndonjëherë e kam patur të pamundur të mos e përdor televizorin apo telefonin tim si mjet për t’i qetësuar. Më thoni që s’jam e vetme...ju lutem.
Siç e përmenda në fillim, si një nënë e re që jam, në fillim gëzohesha qoftë edhe për një vizatim të vogël të vogëlushëve të mi. I merrja, i vendosja në korniza dhe i varja në dhomën e tyre. Kur muri u mbush plot, nisa t’i ngjisja tek dera e frigoriferit. Por me kalimin e kohës, kur fletat mbushnin shtëpinë me lloj e soj vizatimesh, ashtu si pakuptuar pashë që kisha nisur t’i hidhja në kosh. Këtë gjë vazhdoj ta bëj ende; një pjesë i mbaj, të tjerat i hedh...diku ku nuk i zë syri i tyre.
E në fund, besoj se këtë e bëjmë të gjitha. “Ika ika se kam lënë djalin/vajzën vetëm”, e kemi përdorur si justifikim sa herë prania e dikujt na ka bezdisur sa nuk mbante më ujë pilafi.
Nejse, ju mund të më kryqëzoni duke më cilësuar si “nënë të keqe”. Nuk e them dot se jam 100% krenare për veprimet e mia, ama si çdo njeri tjetër, as unë nuk jam e përsosur dhe nuk dua të jem. Asnjë nënë nuk është!
Burimi: Mom.me