Valerie Gill nisi të merrte Contrave, një medikament me recetë për humbje peshe, 11 muaj më parë, pasi përjetoi probleme shëndetësore të lidhura me peshën, të cilat nuk po i kontrollonte dot vetëm me dietë dhe aktivitet fizik.
Si shumë amerikanë të tjerë që gjatë vitit të fundit kanë filluar të përdorin ilaçe si Wegovy dhe Ozempic, 36-vjeçarja po përballet me ndryshime jo vetëm në shëndetin e saj, por edhe në aspekte të tjera të jetës. Dhe një nga surprizat më të mëdha ka qenë ndikimi i këtyre ndryshimeve në marrëdhënien e saj me të dashurin.
“Ka qenë një makth emocionues në lidhje,” thotë ajo.
Për Gill, ky transformim ka qenë një kombinim mbështetjeje, keqkuptimesh dhe pasigurie.
“I dashuri më ka qëndruar pranë, por kemi pasur biseda të gjata mbi imazhin e trupit, presionet dhe ndikimin që kjo rrugëtim ka pasur tek ne si çift,” shpjegon ajo.
Nga njëra anë, përvoja i ka afruar më shumë, duke i detyruar të përshtaten me një fazë të re të jetës dhe të ndryshojnë stilin e tyre të përditshëm.
Nga ana tjetër, partneri i saj është shprehur i shqetësuar se ajo po përqendrohet më tepër tek pamja e jashtme dhe ilaçi sesa tek shëndeti dhe mirëqenia.
Vendimi për të marrë këto medikamente mund të ketë një ndikim të madh në marrëdhëniet romantike - që nga ndjenja e mungesës së sinkronizimit mes partnerëve deri tek anulimi i planeve të përbashkëta. Sipas terapistes Rachel Goldberg,
“Marrja e një ilaçi për humbje peshe mund të ndryshojë ndjeshëm dinamikën e një lidhjeje, sepse kur një person pëson ndryshime të mëdha fizike ose emocionale, të dy partnerët duhet të përshtaten me këtë transformim. Nëse nuk e bëjnë, mund të fillojnë të largohen nga njëri-tjetri.”
Në rastin e Gill, ky ndryshim ka sjellë shqetësime mbi faktin nëse ajo do të jetë “mjaftueshëm e mirë” nëse e ndalon ilaçin. Ajo ka nisur të dyshojë nëse interesi i të dashurit për të lidhet me përparimin e saj në humbjen e peshës.
“Ai më ka bërë komplimente për transformimin, por herë pas here kam ndjerë një lloj presioni për të vazhduar,” tregon ajo. “Edhe gjërat më të vogla, si nëse kam shtuar ose humbur disa kilogramë brenda ditës, mund të shkaktojnë tension dhe situata të sikletshme.”
Megjithatë, pavarësisht këtyre dilemave, ajo ndjen se vetëbesimi i saj është përmirësuar që kur nisi trajtimin me Contrave.
Ndërkohë, ilaçet për humbje peshe nuk ndikojnë vetëm tek ata që i marrin, por edhe tek partnerët e tyre, shpjegon Goldberg.
"Nëse një person përmirëson vetëkontrollin në të ngrënë, humb peshë dhe ndihet më mirë me veten, partneri mund ta shohë këtë ndryshim si kërcënim, sidomos nëse ata ishin mësuar të lidheshin përmes aktiviteteve si daljet për të ngrënë,” thotë ajo.
"Gjithashtu, mund të lindin frikëra për t’u lënë pas dore ose për t’u braktisur.”
Një tjetër sfidë janë efektet anësore të këtyre ilaçeve, të cilat në rastin e Gill kanë çuar në shtyrje ose anulim të planeve me partnerin. Terapistja e martesës dhe familjes, Leanna Stockard, shpjegon se disa nga efektet anësore, si të përzierat apo diarreja, mund të ndikojnë në dëshirën për të dalë ose për të qenë aktivë në shoqëri.
Përveç ndikimit fizik, këto medikamente mund të shkaktojnë ndryshime emocionale si ankth, depresion, luhatje humori, ulje të dëshirës seksuale ose nervozizëm.
Por jo gjithçka është negative. Në shumë raste, ky transformim mund të forcojë marrëdhëniet romantike. Goldberg thotë se:
"Më parë, një partner mund të kishte më pak interes për intimitet për shkak të pasigurisë për trupin e tij. Kur ndihen më mirë me veten, mund të tregojnë më shumë interes për mënyrën si vishen dhe të kërkojnë më shumë kontakt fizik.”
Për Gill, vetëbesimi i shtuar ka sjellë një energji të re në marrëdhënien e saj.
Anne-Marie Zanzal, 60 vjeç, dhe bashkëshortja e saj, Tonda McKay, 62 vjeç, kanë përjetuar anën pozitive të këtyre ndryshimeve në marrëdhënien e tyre. Ato e përshkruajnë veten si një çift që kishte arritur në “fazën e të qenit të shëndosha dhe të lumtura,” por e kuptuan se mbipesha po ndikonte tek energjia e tyre.
Zanzal nuk u kualifikua për trajtim nga mjeku dhe sigurimi shëndetësor, ndaj vendosi të blinte semaglutid të përbërë përmes një ofruesi online në gusht.
“Furnizuesi i parë ishte i lehtë për t’u kontaktuar, por nuk kishte asnjë mbështetje dhe kisha shumë efekte anësore, si të përzierat dhe urthi,” thotë ajo.
Në dhjetor, ajo kaloi tek një tjetër program përmes Weight Watchers, dhe efektet anësore u lehtësuan.
Nga ana tjetër, McKay, e cila vuan nga diabeti dhe problemet e zemrës, mori miratimin për të nisur Ozempic në dhjetor, një ndryshim që ka ndikuar pozitivisht në marrëdhënien e tyre.
"Tonda ka frikë nga gjilpërat, ndaj unë i bëj injeksionin,” shpjegon Zanzal.
"Flasim për gjithçka dhe i japim mbështetje njëra-tjetrës.”
McKay është më aktive dhe ka më shumë energji, duke i lejuar të bëjnë më shumë gjëra së bashku. Për më tepër, të dyja ndihen më tërheqëse me trupin e tyre.
Megjithëse McKay ka përjetuar disa shqetësime gastrointestinale dhe kapsllëk që nga fillimi i trajtimit me Ozempic, çifti ndihet më mirë fizikisht dhe emocionalisht.
"Është bukur ta kem atë pranë në këtë rrugëtim,” thotë Zanzal. “Çdo gjë bëhet më e lehtë kur ke një mik apo një partner përkrah.”
Burimi: Popsugar