
Pas lajmit për arrestimin e Noizy-t në aeroportin e Zyrihut, Zvicër, ka ardhur edhe reagimi i parë nga ana e ekipit të tij menaxherial. Në një prononcim për Revistën Class, përfaqësues të afërt me artistin janë shprehur se janë të tronditur nga mënyra se si ka ndodhur ndalimi, duke theksuar se nuk kanë ende informacion të saktë mbi arsyet.
“Të gjithë jemi të habitur dhe të zhgënjyer nga mënyra si ndodhi kjo. Nuk është e qartë se çfarë ka çuar në këtë ndalim, por duket të jetë një keqkuptim,” thuhet në deklaratë.
Arrestimi ndodhi në momentin që Noizy po hynte në territorin zviceran, ku kishte planifikuar të prezantonte albumin e tij të ri në një klub nate në Rümlang. Sipas asaj që raportojnë mediat lokale, ai u ndalua nga autoritetet me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërsa policia kantonale e Zyrihut e ka konfirmuar zyrtarisht ngjarjen për median zvicerane Watson.
Pas arrestimit, klubi që do të priste performancën e tij ka fshirë çdo njoftim, poster dhe promovim nga rrjetet sociale, duke ngritur dyshime për seriozitetin e situatës dhe për faktin që ndalimi mund të mos jetë një “incident i rastësishëm”.
Për momentin, nuk është e qartë nëse ndalimi në Zvicër lidhet me ndonjë hetim të ri ose me ngjarje të mëparshme, si rasti i gushtit të kaluar, kur Noizy u arrestua në Shqipëri për përfshirje në një sherr në një lokal nate. Ai u lirua me kusht pak ditë më vonë.
Në mungesë të një deklarate zyrtare nga autoritetet zvicerane mbi motivin konkret të ndalimit, ngjarja mbetet e paqartë dhe në pritje të përditësimeve të mëtejshme.