
Princ Leka dhe partnerja e tij Blerta Celibashi ishin të ftuar së fundmi në "Mirëmbrëma Yje" me Arbana Osmanin. Sigurisht, nuk mund të shmangej diskutimi mbi videon e bujshme të dhunës që u përhap në mars të vitit 2024, për të cilën Leka nisi të tregonte:
"Ne kemi kaluar, sidomos 20 muajt e fundit, sfida shumë të ndryshme. Unë kam pasur mirëbesim tek institucionet e shtetit shqiptar dhe nuk kam pasur asnjëherë dëshirën që ajo video të dalë në publik. Prandaj unë gabova, nuk duhet të kishte dalë asnjëherë ajo video."
Më tej, ai tregoi se narrativat për lidhjen e tij me Blertën që aludonin për tradhti, ishin të pavërteta:
"Kemi patur sulme mediatike, ligjore, nga gjithë instrumentat. Narrativat kanë qenë të imponuara, jo reale. Nuk ka pasur asnjëherë çështje tradhtie. Personi i parë që kam njoftuar për lidhjen time ka qenë pikërisht Elia."
Princ Leka zbuloi se ndarja me Elia Zaharian kishte ndodhur gradualisht, shumë më përpara se të dilte videoja:
"Ndarja ime ka ardhur me faza të ndryshme, në radhë të parë ka qenë ndarja emocionale, që ka qenë shumë e vështirë për mua. Pastaj ishte faza e distancimit, kemi jetuar në një shtëpi, por krejtësisht të distancuar, një shkëputje emocionale, por edhe fizike."
Më pas ai shprehu:
"Situata e marsit realisht na ka ndryshuar, ndoshta na ka dëmtuar imazhin, por nuk ka ndryshuar figurën e familjes mbretërore. Ata miq që kanë informacione, ata kanë kuptuar që nuk ka qenë thjesht një konflikt për një familje, por ka pasur një dorë të jashtme nga presionet, siç është natyra e jetës në Shqipëri."
I pyetur nga Arbana për irritimin e tij në video, ai tregoi:
"S'ka pasur asnjë irritim, unë kam shkuar për të takuar vajzën time, pastaj doli jashtë kontrollit situata. Ka vetëm një viktimë në këtë mes dhe viktima është Geraldina [vajza]."
Më tej ai vazhdoi të tregonte se nuk e ka dhunuar asnjëherë Elian. Dhe arsyen pse e filmoi videon:
"Jam ndjerë në situatën që më mirë të kisha një filmim. Hapa kamerën sepse kjo ka qenë këshilla e këshilltarëve të mi. Ishte e vetmja mënyrë që të siguroja realitetin e ngjarjes. Pastaj, fakti që ka dalë në publik, ndihem shumë keq. Ndihem i tradhtuar nga ata persona që kanë bërë këtë. Di që s'kam pasur miq në atë moment."
Princ Leka zbuloi se nuk ka më asnjë kontakt me Elia Zaharian, po i uron një jetë të mirë për sa kohë po rrit dhe kujdeset për vajzën e tyre.